Pilotët do trajnohen në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes debat në komision për KAYO

Nga Ervin Koçi
6 Nëntor 2026, 15:27 | Politikë

Vitin e ardhshëm, Ministria e Mbrojtjes parashikon jo vetëm blerjen e armatimeve dhe sistemeve të posaçme, por edhe punime në Porto Romano dhe Pashaliman.

“Konkretisht, bëhet fjalë për portin e ri të Porto Romanos, pjesën ushtarake të tij, si dhe rivitalizimin e një pjese të bazës së Pashalimanit. Pjesë e investimeve janë armatimi i lehtë, blerja e dronëve, sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës ajrore, blerja e avionëve, ndërtimi i sistemit të dronëve, anijet patrulluese dhe bateritë e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme”, tha ministri i Brendshëm, Ermal Nufi, përcjell A2 CNN.

“Gjithashtu, kemi filluar punën për një shkollë fluturimi, e cila do të trajnojë pilotët tanë. Pra, nuk do t'i çojmë më jashtë për t'u trajnuar, por do t'i trajnojmë këtu”.

Në diskutimet në komisionet parlamentare, opozita vëmendjen e përqendroi te kompania KAYO dhe skemën e financimit dhe funksionimit të saj.

“Thua që Advanced Armed Technology prodhon armatim. U gëzova kur e tha në parlament. Thashë: "Ia, arritëm, e kthyem edhe njëherë karabinën, po e prodhojmë edhe atë". Kujt t’i besojmë? Ju? Zëvendësministres, apo Ron Yeffet-it, kumbarit të kryeministrit?”, pyeti deputeti i PD Isuf Çelaj.

Përballë kësaj, ministri Ermal Nufi kujtoi vitet e para të demokracisë, por kundërshtoi edhe akuzat për trafik armësh.

“Nuk ka marrë para për asnjë nga bashkëpunimet tregtare që ka, për asnjë prej tyre. Ka marrë vetëm 3 milionë euro për themelimin e tyre. Paratë që shoqëria KAYO ka kontraktuar për llogari të Forcave të Armatosura me këto kompani janë gjëra komplet të ndryshme. Nëse ju doni që ne të prodhojmë motorë, shasi e të tjera, do të duhet të na jepni pak më shumë para. Do të ishit menduar edhe pak më parë, përpara se t'i shkatërronit ato fabrika që kishim dikur”.

Ndryshe nga viti që lamë pas, Mbrojtja do të ketë një shtesë fondesh prej 7,5 miliardë lekësh, duke plotësuar edhe angazhimet në NATO. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos