Përveçse në rrjetet e tij sociale apo në zyrën e Kryeministrisë, Edi Ramën mund ta gjeni edhe në faqen online, Folmekm.al. Një dritare dialogu që, sipas tij, studentët do të kenë mundësi të flasin me të pa zbuluar identitetin.
Një faqe online me shumë ngjyra, ku nuk mungojnë as mjetet e tij të punës si piktor. E kundërta e panoramës së asaj që ndodh në rrugë, kur studentët protestojnë.
“Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë. Besoj që më herët se vonë do të shkrihen edhe akujt e vendosur artificialisht. Në ndërkohë, ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia”, tha Rama.
Për pyetjet apo çështjet që do të shtrohen në këtë dritare dialogu, Rama tha se do të jetë një ekip që do të merret me përpunimin e kërkesave. “Mirë se të vini në dialog”.
Edhe pse ai thotë se tre grupe janë tërhequr nga dialogu për shkak të frikës nga protestuesit e tjerë, publikisht studentët e refuzojnë ftesën e kryeministrit për t'u ulur me të, duke i kërkuar largimin e tij nga qeveria. (A2 Televizion)