Nisma e mazhorancës që i hap rrugë ndërtimeve në zonat e mbrojtura u miratua me 74 vota pro këtë të enjte në Kuvend, ndonëse Delegacioni i Bashkimit Europian kishte kërkuar shkresërisht rihapjen e konsultimeve transparente dhe gjithëpërfshirëse, para se drafti të kalonte për votim.
Projektligji u kundërshtua edhe nga opozita që në momentin e parë që u prezantua në Kuvend, por sërish qeveria nuk u tërhoq. Në përfundim të seancës plenare, demokratja Jorida Tabakue quajti ligjin korruptiv dhe klientelist.
“Me ligjin e zonave të mbrojtura qeveria tregoi se nuk ka asnjë limit. Shkelën legjislacionin e BE dhe konventat. Votuan një ligj që ashtu siç do e shihni janë 14 vendime për investime strategjike për zonat e mbrojtura. Është një ligj që do japë leje për struktura akomoduese në zona të mbrojtura, nuk ka më zonim, nuk ka më zona të mbrojtura tashmë është 20% ndërtim për investime strategjike”, tha Tabaku.
Për ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, këto shqetësime nuk qëndrojnë. Ajo foli për rregulla të qarta që kanë në fokus ruajtjen e mjedisit.
“Vetëm në ato nënzona, të parashikuar edhe sipas parashikimeve të IUCNS për aktivitete turistike elitare, ekoturistike, agroturistike apo të turizmit të nivelit të lartë brenda kritereve shumë strikte të përcaktuara nga ministria dhe këshilli i territorit, do të jenë të mundura të zhvillohen me 3-4 filtra shumë strikt nga agjencia deri tek qeveria”, u shpreh Kumabro.
Menjëherë pas votimit Delegacioni i Bashkimit Evropian reagoi duke e bërë publik shqetësimin që më herët kishte shprehur në rrugë institucionale.
“Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, deklaroi delegacioni i BE-sw.
Për Kryeministrin Edi Rama, reagimi i BE është i mirëpritur dhe qeveria e mbështet plotësisht.
“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Me vizionin Shqipëria 2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura forcojnë zhvillimin e qëndrueshëm për të ruajtur bukuritë natyrore e Shqipërisë. (A2 Televizion)