Numri i pacientëve me HIV/AIDS në Shqipëri është në rritje.
Në Ditën Botërore kundër HIV-AIDS, mjeku infeksionist Edmond Puca shpjegon se ka qenë pandemia ajo që ka krijuar “iluzionin” që shifrat kanë qenë në rënie.
Në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 CNN, Puca shpjegoi se numri i të diagnostikuarve në Shqipëri është mbi 1000, ndërsa personat që janë duke marrë aktualisht terapi me anti-retroviralë janë diku tek 900.
“Numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur. Numri i tyre ka pasur trend të madh sidomos në vitet e fundit. Gjatë pandemisë, sistemi shëndetësor, njerëzit ishin fokusuar te kjo sëmundje, kjo bëri që në 2-3 vite të reduktohej numri, por fallso. Por së fundmi është parë se numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur.”
Sipas mjekut, në vendin tonë ka më shumë meshkuj sesa femra të diagnostikuar me këtë sëmundje.
Sa i përket mjekimit, infeksionisti Puca, shpjegoi se me terapitë tashmë janë inovative dhe se të sëmurët me HIV/AIDS mund të kenë një jetëgjatësi të ngjashme me atë të një personi të diagnostikuar me një sëmundje kronike si Hepatiti B.
“Nëse pacientët janë të rregullt. Jetëgjatësia tyre është e njëjta si e atyre me sëmundje të tjera kronike bashkëshoqëruese.” (A2 Televizion)