Reshjet e shiut çdo herë nxjerrin në pah edhe më tepër problemet infrastrukturore në bashkinë Kukës. E amortizuar dhe pa vënë dorë prej vitesh, rruga në të cilën kalojnë çdo ditë nxënës të shkollës 9-vjeçare “1 Qershori” të qytetit është kthyer në një problem shqetësues. Në ditët me reshje kjo rrugë bëhet thuajse e pakalueshme për shkak të pellgjeve me ujë.
Përveç nxënësve të shkollës, rruga përdoret edhe nga qytetarët dhe tregtarët e tregut agroushqimor dhe industrial. Sikur të mos mjaftojnë gropat me ujë në këtë rrugë nuk pastrohen rregullisht as mbeturinat.
Edhe në fshatra të bashkisë së Kukësit, infrastruktura rrugore është tejet e amortizuar. Kjo është rruga që përdorin banorët e fshatit Turraj dhe Novosejit, si dhe rruga që të çon drejt pikës turistike të shtegut të ngjyrave.
Por ajo që banorët e zonës dhe turistët kanë më shumë problem është ura që nuk garanton me siguri të kalimit të mjeteve mbi të.
Stina e dimrit vështirëson së tepërmi lëvizjen e banorëve të zonave rurale të bashkisë së Kukësit, ku përveç infrastrukturës rrugore hasen shpeshherë edhe me mungesën e energjisë elektrike. (A2 Televizion)