Biologu Mirjan Topi theksoi se njerëzit nuk duhet të kenë asnjëherë frikë nga gjarpërinjtë e mëdhenj.
Në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, biologu shpjegoi se “nëse një gjarpër është më i madh se një metër, nuk ka arsye për të pasur frikë”.
“Supozojmë se dikush është duke mbledhur bimë medicinale dhe kafshohet nga një gjarpër i madh. Nuk kanë helm, thjesht mund ta bësh me pak alkool e dezinfektim. Askush të mos ketë frikë nga gjarpërinjtë e mëdhenj”, u shpreh biologu në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
“Çdo vit është e njëjta situatë me zvarranikët, thjesht ka ndryshuar vëmendja ndaj tyre. Sapo shihet një zvarranik, menjëherë xhirohet dhe hidhet në rrjetet sociale, që të marrë “like” e të bëjë bujë. Nëse ka gjarpërinj nëpër qytete, ky nuk është lajm i keq, por i mirë. Gjarpërinjtë janë konsumatorë të brejtësve dhe brejtësit vetë janë përhapës të sëmundjeve të ndryshme. Nga 17 lloje gjarpërinjsh në vendin tonë, vetëm 6 janë helmues. Dy prej tyre janë helmues të lehtë. Nëpërka me bri është shumë helmuese, deri në vdekjeprurëse. Por, studimet tregojnë se rastet e vdekjes janë shumë të rralla”, tha Topi.
“Ndërsa 3 nëpërka të tjera janë në male. Janë helmues, por nuk konsiderohen vdekjeprurës. Por, nëse nuk i ngacmon, gjarpërinjtë nuk e sulmojnë kurrë njeriun. Kur ndjejnë prezencën e një njeriu, gjarpërinjtë mundohen të fshihen”, shtoi biologu. (A2 Televizion)