Britania e Madhe po investon në disa shkolla në veri të vendit me qëllim aftësimin e të rinjve. Kjo si një përpjekje për të ndalur emigracionin e paligjshëm.
“E shkuara nuk mund të ndryshohet. E ardhmja është ende në duart e tua”. Kjo shprehje e vjetër sa vetë njerëzimi, ka më shumë se kurrë kuptim për Shqipërinë në dekadën e katërt të tranzicionit. “Njeriu si kapitali më i çmuar i një vendi”, ka nisur të marrë rëndësi edhe në vend përmes “rrugëve alternative”, ndonëse me ndihmën e të huajve.
“Rrugë Alternative është një program i financuar nga qeveria Britanike për të aftësuar të rinjtë në 8 bashki të veriut të Shqipërisë që të rrisin talentet e tyre, kapacitetet e tyre... t’i zhvillojnë ato në mënyrë që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre e nga na ana tjetër të krijojnë profesionet e të armës”, thotë për A2 CNN Majlinda Mazelliu, Drejtoresha e “British Council Albania”.
Jetojmë në epokën e mendjes, ideve... që për Shqipërinë e sotme në përpjekje për të tejkaluar vetveten, bëhen më të nevojshme se kurrë. “Nëpërmjet këtij projekti ne duam që të sensibilizojmë në radhë të parë fëmijët, të rinjtë tanë që duke fituar disa aftësi profesionale mund të jetë e mirë edhe në Shqipëri. Edhe në veri apo fshatrat tanë”, thotë trajneri Jetmir Qaushi.
Po shpesh këto plane që vijnë edhe nga mendjet e bukura të të rinjve mbeten në letër për shkak të klimës së ashpër të një biznesi ende me vizion të ngushtë. Ndaj për t’i dhënë jetë këtyre ideve, u organizua “Sfida Kombëtare e Kodimit”.
“Ne kemi një problem në shkollën tonë, që nuk kemi ndriçim. Ndaj edhe projektin e realizuam për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi”. “Unë kam mësuar shumë nga ky projekt. Ka mësuar se gjithmonë ka zgjidhje, thjesht duhet ngulmuar pak”, thonë Isra dhe Xhenisa, nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Ilir Dashi”, Koplik.
Me emrin e trashëguar nga e shkuara e mitologjisë greke, Paridi 7-vjeçar kërkon të sfidojë të ardhmen e industrisë automotive me idetë e tij. “E ka emirin “Move Motor”. Unë e kam programuar që të ndjekë vizën dhe të ndalojë kur të futet në garazh. Ka dy rrota, dy motorë, dy sensorë drite dhe mikrobit”, thotë Paridi.
Migrimi është një fenomen i pandalshëm global, pasi nevoja për të pasur një jetë më të mirë është përpjekje e vazhdueshme për shumë njerëz. Megjithatë, u takon të gjithëve të gjejnë zgjidhje efikase për të trajtuar dhe zbutur koston e emigrimit të të rinjve dhe efektet e negative. (A2 Televizion)