Më parë, protesta e tyre para Ministrisë së Arsimit ishte e heshtur… flisnin lotët dhe dhimbja në sytë e tyre. Këtë herë, prindërit e 14-vjeçarit Martin Canit ngritën zërin dhe kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Ata thanë se nuk po shohin drejtësi pas vrasjes së djalit të tyre pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.
“Martini im iku, por të mos ikin 'Martina' të tjerë. Dua dorëheqjen e ministres, drejtoreshës së shkollës, mësueses kujdestare që nuk më tha asnjë fjalë. Ku ishte ajo mësuese që më thoshte në mbledhje që Martini ishte fëmijë shembullor, mblidhte shokët dhe i bënte të buzëqeshnin? Ogerta Manastirliu as një ngushëllim për Martinin nuk më çoi. Edhe ti, Ogerta, qeshe bashkë me tre të tjera në Parlament, që unë as nuk i njoh. Turp të të vijë, Ogerta! Unë jam një nënë që dridhem para jush”, tha mamaja e Martinit.
Nëna e Martinit kërkoi drejtësi edhe për shokun e Martinit, Luis Meçen, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen tragjike. Më tej, ajo vuri në pah neglizhencën e stafit të shkollës rreth problematikave para krimit të rëndë, duke u shprehur se nuk ishte vënë në dijeni, shkruan A2 CNN.
“Kërkoj drejtësi edhe për vëllain e Martinit, Luisin. Shyqyr që e ruajti Zoti! Mësuesja kujdestare s’më tha asnjë fjalë. Nuk më dha asnjë sinjal që Martini është problematik. Ku ishte ajo që më thoshte në mbledhje që Martini është fëmijë shembull, që Martini mbledh gjithë fëmijët e tjerë për të buzëqeshur? Ku ishte ajo që s’më mori që të më tregonte se ishin grindur?”, tha ajo.
Para një muaji, 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Pas daljes nga spitali, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të ndihmojë deri në rehabilitim të plotë shokun e tij, Luis Meçen, përmes fizioterapistëve të ekipit kombëtar. Ndërsa adoleshenti i akuzuar për vrasjen, Mario Përlleshaj, vijon të jetë nën masën e sigurisë “arrest me burg”. (A2 Televizion)