Mamia Eralda Doçi ka ndarë një rrëfim prekës për vajzën e saj të diagnostikuar me spektrin e autizmit, gjatë një interviste për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN. Ajo tregon se shqetësimet nisën që në muajt e parë pas lindjes, kur vajza shfaqte një sjellje të pazakontë, sidomos me të qarat e vazhdueshme.
“Që në shtatzëni pak a shumë brumosesh me idenë që, dashtë Zoti, të jetë një fëmijë i shëndetshëm dhe normal. Momentet e para me vajzën kanë qenë shumë të vështira, sepse qante gjatë gjithë kohës, por jo një të qarë normale. Mund të kalonte 3-4 ditë pa fjetur fare nga e qara,” rrëfen ajo.
Sipas saj, shqetësimet e vazhdueshme e detyruan të kërkonte ndihmë të vazhdueshme mjekësore, ndërsa vajza kishte edhe diagnoza të tjera shoqëruese si refluksi.
“Ishte 2-3 muajshe dhe kishte të qara pa fund. E kishim pediatren me abone,” shprehet Doçi.
Momenti më i vështirë, sipas saj, ka qenë kur vendosi të kërkonte një kontroll zhvillimor për vajzën, kur ajo ishte 11 muajshe.
“Kur i thashë pediatres që dua të bëj një kontroll zhvillimor, më tha: ‘Pse ke frikë se është autike?’ dhe pata ndjesinë e mbytjes. Të përshkojnë djersë të ftohta,” kujton ajo.
“Kam dalë nga konsulta me atë ndjesinë: ‘Pse mua?! Çfarë kam bërë gabim?!’. Pastaj e mbledh mendjen dhe thua: ‘Pse jo mua?!’,” përfundon rrëfimin e saj mamia.
Historia e saj është një thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe mbështetje për familjet që përballen me sfida të tilla. (A2 Televizion)