“Të barabartë para krijuesit”, Myftiu i Korçës: Bajrami, dita e shpresës dhe solidaritetit

Nga A2 CNN
19 Mars 2026, 11:32 | Sociale

Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi, ka përcjellë mesazhin e urimit në prag të Fitër Bajramit, një ndër festat më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë. Dita e Bajramit tregon se para Krijuesit të gjithë jemi të barabartë dhe se duhet të ndiejmë dashuri për njëri-tjetrin.

“Të nderuar besimtarë myslimanë të qarkut të Korçës, motra dhe vëllezër, në emër të Myftinisë së zonës së Korçës dhe në emrin tim personal, ju uroj Gëzuar Ditën e Bajramit, ditën e shpërblimit dhe afrimit me njëri-tjetrin. Po e përcjellim me përmallim muajin e bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificat tona”, tha ai.

“Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na i ka dhënë i Plotfuqishmi marrin kuptim vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët, me synimin për të fituar kënaqësinë e Tij. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është ajo që ndahet me njëri-tjetrin, qoftë me të pasur, qoftë me të varfër. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit; dallimi është vetëm në devotshmëri. Atmosfera shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe na motivon ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e kujdesit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si dhe të dashurisë për njeriun dhe njerëzimin. Ju përcjell urimet e mia më të sinqerta për një jetë më të lumtur, shëndet dhe mirësi. Gëzuar dhe për shumë vjet Fitër Bajrami!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos