Nisur nga data 30 janar uji i pijshëm do të kushtojë 30% më shtrenjtë për abonentët familjarë dhe bizneset në bashkinë e Vlorës. Thënë më qartë këshilli bashkiak ka miratuar që nga 46 lekë për metër kub, qytetarët vlonjatë tani do të paguajnë 60 lekë për metër kub ujë të harxhuar në sahatet e tyre.
Sipas zyrtarëve rritja synon të përmirësojë cilësinë e shërbimit të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve dhe të synojë zgjatjen e fashës së orarit të furnizimit me ujë të pijshëm. Por për vlonjatët kjo rritje nuk justifikon as shërbimin dhe as furnizimin me ujë.
Në zona të qytetit shumë banorë furnizohen vetëm dy herë në ditë me ujë të pijshëm.
Ndërsa në periferi të qytetit, situata është akoma më problematike edhe sa i takon furnizmit me ujë të pijshëm, por edhe gjendjes ekonomike të atyre familjeve.
Rritja e çmimit të ujit të pijshëm ishte vetëm një nga disa taksa që Këshilli Bashkiak i Vlorës ka vendosur të rrisë për vitin 2024. (A2 Televizion)