Shumica e maturantëve zgjedhin publikun, shtohen aplikimet tek Ekonomiku e Juridiku, bien te Shkencat dhe Filologjiku

Nga Ornela Joti
28 Gusht 2025, 14:44 | Sociale

Të premten e 29 gushtit nisin regjistrimet në shkollat e larta. Pjesa më e madhe e maturantëve edhe këtë vit kanë zgjedhur institucionet publike, ku peshën më të madhe e mban Universiteti i Tiranës.

Por nëse ekonomia dhe drejtësia janë degët më të kërkuara, programet e mësuesisë kanë ulje drastike të aplikimeve. Shkollat e larta shpallin kandidatët fitues, ndërsa të premten e 29 gushtit nis regjistrimi i studentëve të rinj.

Edhe këtë vit akademik Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, mban peshën më të madhe sa i përket pranimeve të reja. 60% e maturantëve thotë rektori Artan Hoxha  kanë zgjedhur të vijojnë studimet në Universitetin e Tiranës.

Ekonomia dhe Drejtësia kanë shënuar rritje të kërkesave nga të rinjtë. Por dëshpëruese duket situata në degët e mësuesisë në Universitetin e Tiranës. Rektori pranon se në Fakultetin e Shkencave të Natyrës këtë vit ka patur 600 aplikime më pak.

Numër shumë të ulët studentesh pritet të ketë edhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja por dhe ai Histori-Filologji në profilin e mësuesisë. Rektori Hoxha thekson nevojën për politika qeveritare për mbështetjen e profesionit të mësuesit.

Më shpalljen e fituesve në universitete, më 29 gusht nis raundi i parë i regjistrimeve në universitete, i cili do të jetë i ndarë në 7 faza 48 orëshe. Ky proces do të vijojë dy javë, për të vijuar më pas raundi i dytë për plotësimin e kuotave të mbetura bosh nga lëvizjes të listave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos