Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), znj. Risena Xhaja, zhvilloi ditën e sotme një vizitë pranë Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” në qytetin e Vlorës, një nga projektet e suksesshme të ripërdorimit social të pasurive të sekuestruara nga krimi i organizuar.
Gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin e qendrës, u vlerësua puna e gjatë dhe përkushtimi i “Vatrës” në mbrojtjen dhe fuqizimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Që nga themelimi i saj në vitin 1999, kjo qendër ka asistuar mijëra gra, vajza dhe fëmijë në nevojë, duke ofruar shërbime rezidenciale dhe komunitare, mbështetje psikologjike, sociale, ligjore dhe edukative.
Kryeadministratorja Xhaja theksoi se modeli i “Vatrës” përbën një shembull frymëzues të mënyrës sesi pasuritë e sekuestruara mund të kthehen në vlerë publike, duke u vënë në shërbim të komunitetit dhe grupeve më vulnerabël të shoqërisë.
“Ky është një nga rastet ku pasuritë e sekuestruara nga krimi i organizuar shndërrohen në hapësira të dobishme për qytetarët, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të njerëzve. Qëllimi ynë është të zgjerojmë më tej këtë nismë, duke i dhënë gjithnjë e më shumë pasurive të tilla një funksion social dhe komunitar,” – u shpreh znj. Xhaja.
AAPSK është e angazhuar të rrisë numrin e projekteve të ngjashme në të gjithë vendin, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, pushtetin vendor dhe partnerët ndërkombëtarë, duke e kthyer ripërdorimin social të pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara në një mekanizëm të qëndrueshëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbështetjen e komuniteteve lokale. (A2 Televizion)