Më shumë se 550 psikologë shkarkuan Presidenten e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska.
Përmes një asambleje të jashtëzakonshme të mbledhur këtë të shtunë, psikologët ngritën shqetësimin se Treska ka uzurpuar Urdhrin dhe po vepronte në shkelje të ligjit, duke u krijuar kosto financiare.
Në asamble, psikologët thanë se drejtuesja e Urdhrit ka rritur tarifat për kuotizimin dhe se i ka vënë nën presionin e komisionit të etikës. Sipas tyre, Urdhri i Psikologut i detyron të paguajnë tarifa të larta për trajnimet vijuese.
Një nga këto trajnime, i kërkuar së fundmi, kushton gati 1400 euro, në një kohë që nuk njihet nga organet shtetërore që rregullojnë kreditimin e profesionistëve të lirë.
Me kërkesë të të pranishmeve u fut në rendin e ditës votimi për shkarkimin e Treskës, proces që u vendos të bëhet i fshehtë.
Nga ana e saj, Treska reagoi në rrjetet sociale, ku tha se do ta mbledhë asamblenë pasi të verifikojë më parë firmëtarët. (A2 Televizion)