Turizmi malor, sfida e pragsezonit është mungesa e punonjësve të shërbimit

Nga Ervin Mehmeti dhe Gazmend Janku
25 Prill 2024, 13:39 | Sociale

Nëse para disa vitesh sfida e turizmit malor ne vendin tonë ishte të joshte turistët, tanimë që turistët kanë ardhur, njësitë e shërbimit si ato akomoduese edhe të restoranteve janë në krizë për punonjës.

A2 ka kontaktuar dy nga administratorët e hoteleve dhe bujtinave në zonën e Bushtricës në qarkun e Kukësit, një zonë që për pasuritë natyrore që ka dhe kulinarin bio, ka tërhequr shumë turistë.

Por tani që prenotimet janë në kulmin e tyre problem mbetet fuqia punëtore dhe ofrimi i shërbimeve këtyre turistëve.

Presim turistë, por na pengon diçka, sepse nuk ka staf. Mungesa e personelit po na pengon për turizmin. E gjithë zona ka problem me stafin”, tha Ilir Gjoka administrator hoteli në Bushtricë.

Një tjetër administrator shprehet se po detyrohet të kufizojë shërbimet në restorant pasi nuk ka mundësi ta përballojë.

Te pjesa e restorantit, duhet dhe e kemi shumë të nevojshëm pjesën e shërbimeve. Jemi munduar të kufizojmë flukset, sepse s’e bëjmë dot. Nëse do vinë 200 veta, më mirë presim 100 dhe ato të kënaqen dhe ne të kënaqemi”, tha Kevin Lashi, administrator bujtinash në Bushtricë.

Dhe këtë shqetësim të administratorëve për mungesë të punonjësve e kanë konstatuar edhe vetë vizitorët.

“E vërejmë shumë se ndonjëherë kur shkojmë me një vend, ndonjëherë na vjen na shërben një kamerier 35 vjeç e ndonjëherë tjetër një 16-vjeçar. Edhe e vrejmë aty luhatjen. Se nuk është serioziteti i njëjtë në shërbim dhe kjo ndoshta mund të na largojë si klienta pak."

Turizmi malor këtë prag sezoni veror premton të ketë më shumë turistë të huaj dhe vendas krahasuar me vitin e kaluar, por sfida është nëse ky fluks do të përballohet apo do të ndikojë në prishjen e imazhit të ngritur ndër vite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos