Urgjencat shëndetësore nuk kanë munguar as në ditët e para të Vitit të Ri. Afro 500 urgjenca janë regjistruar në Spitalin e Traumës në katër ditët e para të vitit 2024.
Shefi i Urgjencës, Gjovalin Bushi, tregon për A2 CNN se afro 90% e pacientëve kanë kërkuar ndihmën e mjekëve për shkak të traumave nga aksidentet e ndryshme.
Vendin e parë e zënë aksidentet automobilistike të ndodhura në datën 1, 2 dhe 3 janar. Ndërsa në natën e ndërrimit të viteve janë paraqitur më shumë pacientë të dëmtuar nga fishekzjarrët, por edhe nga përdorimi i armëve.
Për fat të mirë, nga urgjencat e ndodhura në ditët e para të vitit 2024 nuk ka patur humbje jete. Afro 2000 mjekë dhe infermierë në të gjitha spitalet e vendit ishin në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo urgjence mjekësore në ditët e festave. (A2 Televizion)