Shqiptarët, kontingjent krimi? Si jetohet në Holandën skeptike?

Nga A2 CNN
1 Qershor 2019, 20:24 | Aktualitet

Mbi 20% e popullsisë së Holandës është e përbërë nga të huaj. Disa prej tyre, kanë dhe parti, madje dhe vende në Parlament. Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare të këtij vendi, llogariten vetëm 2850. E megjithatë, politikanët holandezë i fajësojnë pikërisht ata për rritjen e kriminalitetit, duke i kërkuar dhe Komisionit Europian të rikthejë regjimin e vizave për Shqipërinë.

Por cili është perceptimi i qytetarëve  holandezë për shqiptarët? Informacioni është i pakët. “Nuk di shumë për shqiptarët personalisht. Për sa i përket lidhjeve me krimin dhe korrupsionin, s’mund ta përgjithësosh të gjithë përmbajtjen e shportës, vetëm se 1 mollë është e prishur”, thotë një i ri.  

Elona Gjylmi, reportere A2 CNN.

“Unë, ashtu si shumë të tjerë këtu, nuk dimë shumë për Shqipërinë, kam parë vetëm foto të afishuara në godinën e ambasadës e duket një vend fantastik. Tingëllon si larg, por është shumë pranë nesh në fakt, nuk e dija për vizat, por perceptimi është se ka korrupsion në shoqërinë aty. Njerëzit luftojnë për të drejtat e demokracinë, oligarkët me sa kam dëgjuar janë ulur në pushtet. Ndaj nuk janë dhe aq demokratikë sa do donim ne të ishin”, thotë një tjetër. “Shqipëria, sigurisht, ai shteti. Ne jemi nga Armenia dhe shpesh na ngatërrojnë. Nuk e dimë për vendimin e Parlamentit për Shqipërinë, por për vende të tjera e dimë që e kanë bërë”.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave në Holandë, “Statline”, për vitin 2018, shqiptarët përbëjnë vetëm 0,2% të të dyshuarve në rang vendi, se kanë kryer vepra penale, konkretisht 470 persona. Ndërsa numri i azilkërkuesve gjatë vitit të kaluar, sipas shkresës së dërguar Komisionit Europian në 31 maj, është 550, 185 më shumëse në vitin 2017.

Por çfarë jete bëjnë shqiptarët në Holandë? Ambasadorja Aida Sakiqi, na jep një panoramë. “Ne shikojmë gjithmonë e më shumë në shtim numrin e studentëve shqiptarë në Holandë, studentë që vijnë këtu për të thelluar dijen e tyre”, thotë zonja Sakiqi. “Shikojmë gjithashtu shqiptarë që vijnë për të punuar në teknologjinë e informacionit, ndërsa ata që kanë vite këtu janë shqiptarë të mirë integruar, nuk dallohen që janë shqiptarë pasi flasin perfekt gjuhën, janë kontribuues i kësaj shoqërie, për të cilën ne jemi krenar”.

Aida Sakiqi, ambasadore e Shqipërisë në Holandë.

Partia e “Priratëve”, e “Kafshëve”, “Jezusi Jeton” janë disa prej partive që veprojnë në Holandë. Ato populiste e kanë bërë të qartë se nuk e duan zgjerimin e Bashkimit Europian. Vendimi i Parlamentit dhe më pas shkresa drejtuar Komisionit Europian për të vendosur vizat për shqiptarët, 2 ditë pas rekomandimit për hapjen e negociatave, ishte një pasqyrë paraprake dhe për votën e këtij shteti kur të vendoset për fatin e Shqipërisë.

Por a e ndjejnë këtë paragjykim shqiptarët që jetojnë në shtetin që ka legalizuar marijuanën dhe prostitucionin? “Para se t’i thuash kombësinë tënde, diskutojnë, të afrohen, pastaj sapo i thua që je shqiptar të shohin si inferior, nuk duan të kenë lidhje e të vazhdojnë më shoqërinë me ty”, thotë Ilda Celibashi, studente shqiptare në Holandë. “Me vajzat që ndaj shtëpinë jemi shumë në harmoni, edhe këtu në shkollë kam gjetur shoqe shumë të afrueshme e nuk e kam hasur aq shumë ndjenjën e racizmit dhe inferioritetit”, thotë Rabora Ramaj. “Kanë atë mendimin që Shqipëria është një vend që ka kriminalitet të madh dhe kur i them që dua të kthehem të aplikoj profesionin e drejtësisë, thotë që po, ke shumë mundësi aty sepse ka shumë kriminalitet”, thotë një tjetër studente, Damiljana Maliqi.

Damiljana Maliqi, studente shqiptare në Holandë.

Holanda historikisht është renditur nder vendet skeptike për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Për hapjen e negociatave, vendimi në Këshillin Europian duhet të jetë unanim, pra vota e çdo vendi anëtar duhet të jetë “pro”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos