Rikthimi i vizave, Holanda zyrtarizon në KE kërkesën për Shqipërinë

Nga A2 CNN
31 Maj 2019, 13:36 | Aktualitet
Rikthimi i vizave, Holanda zyrtarizon në KE kërkesën për

Dy ditë pasi Komisioni Europian tha se vendi ynë është gati të hapë negociatat për anëtarësim në BE, një nga shtetet anëtare, Holanda, i kërkon Komisionit rikthimin e vizave për shqiptarët për shkak të rrezikut, sipas saj, që vjen nga bandat shqiptare. 

“Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në organizimin e krimit në qytete të tilla si Amsterdam dhe Roterdam dhe rajone të tjera në vend. Kriminelët janë të përfshirë në trafikimin e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Prezenca e tyre në skenën kriminale po bëhet më e dukshme sepse gjithnjë e më shumë bashkëpunojnë me grupe të tjera kriminale të huaja”, thotë qeveria holandeze.

Arsyet që numëron qeveria holandeze janë edhe rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm dhe ajo e azilkërkuesve. Qeveria holandeze nënvizon se që prej vitit 2009 ka një rritje të dukshme të shqiptarëve ilegalë në Holandë. Në letër, tabelat referojnë 945 emigrantë të paligjshëm vetëm në 2018, nga 75 që ishin në vitin 2009. 245 shqiptarëve u është refuzuar hyrja gjatë 2018. 

“Numri i aplikimeve për azil është rritur vazhdimisht që nga viti 2010. Pas një rënie të numrit të aplikimeve në vitin 2017, numrat kanë filluar të rriten sërish dhe 550 aplikimet në vitin 2018 përbëjnë një numër të konsiderueshëm”, shtoi qeveria holandeze, e cila vëren se edhe pse bashkëpunimi ndërmjet policisë, gjyqësorit dhe policisë dhe autoritetet e imigracionit mes Shqipërisë e Holandës janë përmirësuar, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme dhe bashkëpunimi deri më tani nuk ka rezultuar me suksese konkrete në terren, sa i përket goditjes së krimit të organizuar.  

Kërkesa e Holandës për pezullim bazohet në nenin 8 (2) të Rregullores 2018/1806, që parashikon pezullim prej 9 muajsh të lëvizjes së lirë. Komisioni ka një muaj kohë për të shqyrtuar kërkesën dhe të dhënat e përmbajtura dhe pezullimi mund të miratohet nëpërmjet shumicës së thjeshtë të shteteve anëtare të BE-së. Mirëpo kjo periudhë përkon edhe me vendimin e Këshillit për rekomandimin për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos