Shtëpia e Bardhë akuzon Kinën për dërgimin e testeve false kundër Covid-19

Nga A2 CNN
27 Prill 2020, 22:41 | Bota
Shtëpia e Bardhë akuzon Kinën për dërgimin e testeve

Zyrtarët amerikanë kanë ngritur një tjetër akuzë ndaj Kinës në lidhje me pandeminë e koronavirusit që ka goditur tashmë të gjithë botën.

Këshilltari për tregtinë në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro ka akuzuar së fundmi Republikën e Kinës se ka dërguar teste për Covid-19 me kualitet shumë të ulët në Shtetet e Bashkuara dhe në disa raste madje dhe false dhe se ka përfituar nga pandemia.

Navarro, një kritik i hapur i Pekinit zyrtar, i cili është caktuar nga presidentit Trump që të punojë me linjën e furnizimit të pajisjeve të nevojshme për krizën shëndetësore, deklaron se testet për virusin dhe antitrupat janë shumë të nevojshme për amerikanët që të kthehen në vendin e tyre të punës.

"Ka shumë prej këtyre testeve të antitrupave që vijnë nga Kina dhe që janë me cilësi të ulët, lexime të rreme dhe gjëra të tilla", u shpreh Navarro.

Navarro akuzon Kinën, vendin ku koronavirusi besohet ta ketë origjinën në qytetin Wuhan, për përhapjen e virusit në pjesën tjetër të botës pasi "ata e fshehën atë për gjashtë javë".

"Ata mund ta kishin ndaluar virusin në Wuhan, por nuk e bënë. Ata mbollën botën me këtë. Me qindra mijëra kinezë që udhëtuan me aeroplan në Milano, Nju Jork dhe vende të tjera ", përfundoi Navarro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos