
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump konfirmoi se Task Forca kundër koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të jetë më funksionale ndërsa zv/presidenti Mike Pence përforcoi më tej idenë duke thënë se ajo mund të shpërndahet brenda disa javësh.
“Ne duam ta rikthejmë vendin tonë aty ku ishte”, deklaroi presidenti Trump gjatë vizitës që zhvilloi në një fabrikë që prodhonte maska në Arizona.
Mjekët prej kohësh i kanë dëgjuar reagimet e presidentit Trump, dhe kanë paralajmëruar se një rihapje shumë e shpejtë e të gjitha bizneseve do ta përkeqësonte situatën.
Disa ditë më parë, gjatë një vizite në një fabrike në Poenix, Trump iu tha gazetarëve se z.Pence dhe ekipi i Task Forcës kanë bërë një punë të shkëlqyer për të përballuar pandeminë, por tashmë vendit i duhet diçka ndryshe dhe ajo është rihapja. Sipas Trump, një ekip i ri mund të ngrihet për këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan në ditën e fundit më shumë se 20 mijë raste të reja me koronavirus dhe mbi 1000 viktima. Ndërkohë që nga nisja e pandemisë më shumë se 1.2 milionë qytetarë janë infektuar dhe 70 mijë prej tyre e kanë humbur betejën përballë saj. (A2 Televizion)