
Stambolli është veshur me ngjyrat kuq e verdhë! Galatasaray fiton derbin e madh ndaj rivalit të përjetshëm Fenerbahçe, me rezultatin 2-1, në një sfidë që dhuroi emocione dhe spektakël.
Heroi i mbrëmjes ishte Victor Osimhen. Sulmuesi nigerian realizoi dy herë në pjesën e parë, duke i dhënë Galatasarayt një avantazh të rëndësishëm përpara pushimit.
Fillimisht, në minutën e 29-të, Osimhen zhbllokoi rezultatin, ndërsa pak para fundit të fraksionit të parë, përfitoi nga një top i kthyer në zonë për të dyfishuar shifrat.
Fenerbahçe nuk u dorëzua dhe Can Kahveci realizoi një gol spektakolar, duke ngushtuar diferencën dhe rihapur sfidën.
Minutat e fundit sollën presion të madh nga miqtë, të cilët kërkuan golin e barazimit. Megjithatë, Galatasaray rezistoi dhe ruajti avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Një fitore me vlerë të veçantë për kampionatin turk, por mbi të gjitha për krenarinë e qytetit.
Galatasaray merr tri pikë të arta në derbin e Stambollit dhe konfirmon se në përballjet e mëdha, Osimhen mund të jetë njeriu që bën diferencën! (A2 Televizion)