
Autoritetet spanjolle bëjnë me dije, se pas rritjes së ndjeshme të rasteve me koronavirus, do të kërkojnë dhe ndihmën e ushtrisë për të luftuar përhapjen e mëtejshme të tij.
Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi së fundmi se rreth 2000 ushtarë do të angazhohen për të ndihmuar autoritetet lokale për gjurmimin e rasteve.
Ai shtoi se zhvillimet e fundit në vend për sa i përket pandemisë janë tepër shqetësuese, pa i krahasuar me situatën e mesit të marsit, kur vendi ndërmori masat më të forta shtrënguese.
“Nuk mund të lejojmë që pandemia të marrë kontrollin e jetëve tona sërish. Ne jemi ata që duhet ta kemi kontrollin dhe ta thyejmë një valë të dytë të mundshme”, tha Sanchez.
Që nga nisja e pandemisë Spanja raporton më shumë se 405 mijë raste me koronavirus dhe 28800 vdekje. (A2 Televizion)