Këshilli i Lartë Gjyqësor do të japë vendimin për përjashtimin ose jo të gjyqtares Enkeleda Hoxha, më 17 mars. Në seancën e kësaj të enjteje, KLGJ dëgjoi edhe konkluzionet e palëve lidhur me veprimet e gjyqtares Hoxha, e cila ndodhet gjithashtu në burg, e akuzuar për korrupsion. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, tha gjatë seancës së sotme se “me veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleda Hoxha janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të padenjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit”. Më 2 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit nuk pranoi kërkesën e saj për të dalë nga qelia, por la në fuqi masën e sigurisë ndaj saj, avokatit Aldo Tabaku, kryesekretares, Manuela Mallkuçi, dhe shtatë të tjerëve, të dyshuar për “korrupsion”. Sipas SPAK, të dyshuarit kishin ndërtuar një skemë të mirëfilltë kriminale, sipas së cilës të dënuarit e burgut të Fushë-Krujës, përfitonin ulje dënimi duke dhënë ryshfete nga 6 në 12 mijë euro. Avokati kërkoi pezullim të procesit me pretendimin se magjistratja Hoxha duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje. Por, kreu i Inspektoratit të Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, nuk ka qenë dakord, pasi procesi përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. (A2 Televizion)
Shtyhet më 25 shkurt seanca në KLGJ për shkarkimin e gjyqtares, Enkelejda Hoxha
