Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar edhe pas seancës së tretë që pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që u mbajt ditën e diele.
Dy ministra Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci nuk morën vota të majftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentarë.
Për herë të parë, Vetëvendosje hodhi në votim edhe deputetin Dimal Basha, një kandidaturë që nuk ka qenë ministër në Qeverinë Kurti 2, por edhe ai nuk kaloi.
Partia Demokratike kishte premtuar që do të votonte një kandidat që nuk ka qenë ministër, por në rastin e Bashës vendosi të abstenojë.
Sipas PDK-së, kryesuesi i seancës nuk pranoi të miratonte një konsultim 10 minutësh mes të gjitha partive para se të hidhej në votim Basha.
“Nuk e kam me borxh unë edhe një deputet i PDK të votojë çfarë t’i teket Albin Kurtit e në momentin që i teket atij. Nëse 10 minuta konsultim për ta është e papranueshme kjo e tejkalon çdo nivel të arrogancës, atëherë i bie që nuk janë të interesuar, ne s’jemi të nënshtruar ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes”, tha kreu i PDK-së Memli Krasniqi.
Lidhja Demokratike tha se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk merr pjesë në asnjë takim konsultativ nëse ftohet nga PDK pasi nuk do të votojnë asnjë propozim të Vetëvendosjes.
“Në mungesë të një marrëveshjeje politike me cilindo parti që do të propozonte një emër për kryekuvendar, Lidhja Demokratike nuk ka pse merr pjesë në atë takim e aq më pak të ftuar nga një palë e tretë”, u shpreh Besian Mustafa nga LDK.
Lëvizja Vetëvendosje tha se partitë që kanë qenë në opozitë në legjilsaturën e kaluar duan të konsumojnë afatin 30 ditor me shpresë që do t’ju kalojë atyre e drejta për të zgjedhur kryeparlamentarin.
“Qëllimi i këtyre partive është që rezultatin të cilin nuk ia dha qytetari me votë në zgjedhjet e 9 shkurtit me të tilla veprime siç janë mësuar t’i bëjnë të tentojnë dhe ta vjedhin rezultatin, votën e popullit, në tavolinë përmes vendimeve siç është ai i Gjykatës Kushtetuese apo zvarritjeve të tilla”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deri më tani, Hekuran Murati ka konsumuar dy raunde votimi, ndërsa Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga një. Një kandidat ka të drejtë të votohet deri në tri herë. (A2 Televizion)