Shtyhet sërish seanca ndaj ish-kryeprokurorit Llalla, mungon gjyqtarja për arsye shëndetësore

Nga A2 CNN
3 Korrik 2020, 10:42 | Kronikë
Shtyhet sërish seanca ndaj ish-kryeprokurorit Llalla, mungon gjyqtarja

Gjykata e Posaçme shtyn për në datën 9 korrik seancën paraprake për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Shkak i shtyrjes mungesa e gjyqtares Irena Gjoka për arsye shëndetësore. Seanca e 18 qershorit ishte shtyrë për këtë të premte, me kërkesë të avokatit, i cili kishte kërkuar kohë të njihet me dosjen.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u mor i pandehur në mars për mosdeklarim të pasurisë, duke rrezikuar nga gjobë deri në 3 vite burgim. SPAK mbylli hetimet ndaj ish-kreut të akuzës pas 2 vite hetimesh për disa akuza të rënda.

Ai akuzohet për veprën penale të refuzimit për deklarim, sipas nenit 257/a të Kodit Penal. Vetë Llalla tha se është njohur me akuzën e prokurorisë, dhe se pret të mbrohet me avokat në procesin gjyqësor.

Llalla i ka mohuar akuzat e ngritura nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda duke e cilësuar hetimin ndaj tij si një goditje politike. Prej kohësh, ai ka sjellë prova në procesin hetimor, duke rrëzuar kështu akuzat e tjera që ishin ngritur ndaj tij.

Llalla u largua nga Prokuroria e Përgjithshme në fund të vitit 2017, për t’ia dorëzuar mandatin e tij ish-prokurores së përkohshme, Arta Marku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos