Shtyrja e kredive, ekspertët: Situata mund të diktojë një ndërhyrje të tretë

Nga A2 CNN
29 Maj 2020, 17:27 | Ekonomi
Shtyrja e kredive, ekspertët: Situata mund të diktojë një

Krahas individëve dhe bizneseve, shtyrja e kredive ndihmon edhe vetë sistemin bankar, që në të kundërt do të përballej me një valë të re të huave me probleme. 

Eksperti për ekonominë, Arjan Kadareja, deklaron se masat e bankës qendrore i japi një frymëmarrje ekonomisë. 

“Bizneset lehtësohen pasi nuk kanë përse ta paguajnë këstin për një periudhë 3 mujore. Pra ndonjë para që e kanë e përdorin për qëllimin e tyre për t’u mbajtur në këmbë. Ndërkohë masa lehtëson bankat sepse nuk ka nevojë që të lenë fonde rezervë për këto kredi që shtyhen që sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë i bie që të jenë kredi të vonuara”, deklaroi Arjan Kadareja, ekspert për ekonominë

Sipas ekspertit, kjo mund të mos jetë shtyrja e fundit që propozohet nga Banka e Shqipërisë, që mund të dalë me një vendim të ri në fund të gushtit pas analizës së situatës.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, 21 mijë biznese kanë përfituar nga kjo lehtësi deri më tani, me kredi totale në nivelin e 2 miliardë eurove.

Por ndërsa bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm, individët dhe bizneset po kërkojnë pak kredi për shkak të krizës së koronavirusit dhe pasigurive që ajo ka shkaktuar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në prill kredia e re për ekonominë arriti në 17 miliardë lekë, me një rritje prej 52% në krahasim me marsin, kur u shënua dhe niveli më i ulët në vite i huamarrjes.

Rritja e huasë në prill ka ardhur vetëm nga kredia për kapital qarkullues, që përdoret nga kompanitë për nevoja likuiditeti. Kredia për këtë qëllim zinte edhe 65% të totalit. Përsa i përket individëve, ata kanë përdorur kryesisht overdraftin dhe kanë marrë hua për blerje pajisjesh, ndërsa ka rënë në minimum kredia për shtëpi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos