
Vijon të përkeqësohet situata e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës. Reshjet e një nate më parë që vijojnë të bien kanë bërë që sipërfaqja e përmbytjes jo vetem të rritet, por uji po shton ndjeshëm thellësinë e tij në toka bujqësore dhe oborret e banesave.
Bashkia ka raportuar se ditën e hënë nën pushtetin e ujit janë mbi 3 mijë hektarë tokë, shumica e së cilës është tokë e kultivuar me kultura bujqësore dhe blegtorale.
Lumenjtë Drin dhe Buna kanë shtuar ndjeshëm prurjet, duke iu afruar pikave të tyre maksimale. Ndërkohë, për zonat e përmbytura emergjenca kryesore mbetet furnizimi me ujë të pijshëm dhe ushqimi për bagëtitë dhe gjënë e gjallë.
Ndërsa në shumicën e zonave të përmbytura mungon edhe energjia elektrike. Ka fshatra që tanimë janë vetëm të lundrueshëm.
Ndërkohë, bashkia e Shkodrës prej ditësh kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga pushteti qendror.
Sakaq KESH raporton se mëngjesin e kësaj të hëne hidrocentralet në kaskadën e Drinit shkarkojnë vetëm 400 m3 ujë në sekondë, plus shkarkimet si pasojë e prodhimit të energjisë elektrike. (A2 Televizion)