
Autoritetet shëndetësore në Kosovë raportuan 14 raste të reja me Covid-19 të dielën, numri më i lartë që prej fillimit të muajit maj.
Në total, 884 persona janë prekur nga koronavirusi në Kosovë, nga të cilët 28 kanë humbur jetën, e 655 janë shëruar.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë maska e të ruajnë distancimin social. "Lehtësimi i lëvizjeve nuk nënkupton mosrespektim të rregullave", thuhej në deklaratën e autoriteteve shëndetësore.
Ndërkaq, Maqedonia e Veriut raportoi 20 raste të reja me Covid-19, që e çojnë totalin në mbi 1600. Koronavirusi ka marrë 91 jetë njerëzish në këtë vend, ndërsa të shëruarit janë rreth 1100.
Në Mal të Zi, situtata shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe sipas autoriteteve në gati një javë nuk është shënuar asnjë rast i ri me COVID-19. Në vend pati vetëm 324 të infektuar, ndërkohë, 9 vetë humbën jetën, një prej të cilëve gjatë së dielës. (A2 Televizion)