Situatë e papritur te PSG, Luis Enrique mendon largimin ende pa debutuar në Ligue 1

Nga A2 CNN
4 Gusht 2023, 13:28 | Futboll
Situatë e papritur te PSG, Luis Enrique mendon largimin ende pa debutuar

Situatë e pazakontë në Francë. Vetëm pak javë pas emërimit në stolin e Paris Saint Germain, Luis Enrique po mendon të largohet nga detyra. Pasiguritë e trajnerit rreth së ardhmen lidhen me situatën e krijuar rreth Kylian Mbappé, por edhe me largimin e mundshëm të drejtorit sportiv, Luis Campos.

Tekniku spanjoll është befasuar nga qëndrimet e klubit rreth sulmuesit dhe nga diskutimet që zhvillohen në ambientet e brendshme. Mbappé, i cili duhej të ishte lideri i skuadrës së Luis Enrique, u përjashtua nga turneu në Azi dhe u nxor në merkato, pasi refuzoi të aktivizonte klauzolën, për rinovimin e kontratës edhe për një tjetër vit.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, situata me yllin e sulmit dhe hipoteza e largimit të Luis Campos, njeriut që i besoi detyrën në krye të stolit, janë arsyet përse trajneri spanjoll po mendon largimin.

Pavarësisht investimit të miliona eurove dhe transferimeve të emrave të mëdhenj, situata brenda skuadrës nuk është e qetë.

Mënyra si u largua Leo Messi, sjellja ndaj Mbappé apo pakënaqësitë e Neymar, tregojnë se në klub ka problematika të mëdha, të cilat nuk mund të fshihen nga paratë.

Largimi i Luis Enrique do të ishte një goditje e rëndë për imazhin e klubit, por edhe për ecurinë e projektit. Në tentativë që të sjellë qetësi në skuadër, përpara debutimit të javës së ardhshme në kampionat, klubi i Paris Saint Germain mohoi spekulimet rreth së ardhmes së trajnerit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos