Carlos Ghosn duhet të lërë menjëherë drejtimin e Renault pas arrestimit në Japoni.
Thirrja vjen nga ministri francez i financave Bruno Le Maire, një ditë pasi shefi i aleancës japoneze-franceze që përfshin Renault Nissan dhe Mitsubishin u vu në pranga për fshehje të të ardhurave dhe për përdorimin personal të aseteve të kompanisë.
“Z. Ghosn nuk është më në pozitën për të drejtuar kompaninë. Bordi drejtues do të vendosë mbi pasuesin e tij, por për momentin na duhet një strukturë e përkohëshme menaxhuese”, deklaroi ministri francez.

Megjithatë ministri sqaroi se partneriteti i Renault me Nisanin mbetet në interesin e Francës dhe Japonisë. Bordi drejtues i Renault, ku shteti francez ka 15 për qind të aksioneve, pritet të takohet të martën për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm. Aksionet e kompanisë në bursë deri më tani kanë rëne më 10.5 për qind.
Të hënën prokurorët japonezë bënë me dije se Ghosn kishte fshehur të ardhura prej 5 miliard jen, të përfituara nga roli I tij në krye të Nissanit përgjatë 5 viteve.

Televizioni japonez NHK raportoi gjithashtu se Nissan kishte shpenzuar miliona jen për ti blerë banesa luksoze shefit të kompanisë. Nissan dhe Mitsubishi po përgatiten gjithashtu për shkarkimin e Ghosn.
Aksionet në bursë të kompanive ranë respektivisht më 5.5 dhe 6.8 për qind.
(A2 Televizion)