SPAK fillon ''shkundjen'', pezullohet dhe nis hetimi për gjyqtarin Luan Daci

Nga A2 CNN
20 Maj 2020, 22:34 | Aktualitet

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka vënë nën hetim një nga gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkallës së dytë të procesit të vetingut. Procedimi penal është regjistruar në emër të gjyqtarit Luan Daci për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Nisja e hetimit i ka kushtuar funksionin e gjyqtarit në KPA Dacit, pasi të mërkurën Gjykata e Posaçme vendosi ta pezullojë atë nga detyra. Sipas SPAK, gjyqtari i pezulluar Daci ka paraqitur të dhëna të rreme, kur ka aplikuar për tu bërë pjesë e trupës së KLP në vitin 2017, duke mos deklaruar faktin se kishte një masë disiplinore “largim nga puna”. Bëhet fjalë për këtë vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të vitit 1997, të firmosur nga kreu i KLD të kohës, ish-presidenti Rexhep Mejdani ka shkarkuar Dacin nga detyra e gjyqtarit “për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”. Sipas SPAK, ekzistenca e kësaj mase disiplinore përbënte shkak ligjor që Luan Daci të mos plotësonte kriteret formale për të aplikuar për vendet e lira për gjyqtarë të vetingut. Procedimi i Dacit nisi pas një kallëzimi të bërë në SPAK nga ish-anëtari i KLP, Besnik Cani. Para se një trupë gjykuese ku ishte dhe Daci ta shkarkonin nga detyra, Cani kallëzoi deklarimet e rreme të paraqitura nga gjyqtari në aplikimin e tij. Por nga ana tjetër, pretendimet mbi paligjshmërinë e gjyqtarit Daci në KPA janë ngritur edhe nga gjyqtarë apo prokurorë të tjerë të shkarkuar nga trupa me të në përbërje, në ankimimet e bëra prej tyre në Gjykatën e Strasburgut. Burime pranë SPAK konfirmuan se regjistrimi i hetimit ndaj Dacit nuk cenon vendimet ku ai ka qenë pjesë e trupës, por kjo rrethanë pritet të jetë argumenti më i fortë i të shkarkuarve nga drejtësia në Strasburg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos