
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur moskompetencën për hetimin e dy kallëzimeve të Partisë Socialiste dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, për “21 Janarin.”
Kështu, dosja do t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës.
Kujtojmë se një muaj më parë, në 12-vjetorin e ngjarjes së rëndë që ndodhi në oborrin e kryeministrisë, PS-ja dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja çuan kallëzim penal në SPAK për “21 Janarin.”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një konferencë për mediat bëri të ditur depozitimin e një kallëzimi penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, Lulzim Bashës që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-komandatit të Gardës për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese referuar ngjarjes tragjike.
Të njëjtin kallëzim e bëri edhe ministri Manja, i cili shtoi po ashtu se do të kallëzohej i gjithë zinxhiri komandues i Gardës pas daljes së atyre që u cilësuan si prova të reja për dosjen në fjalë.
Shumica qeverisëse i bëri thirrje drejtësisë së re që të tregojë që është e pavarur dhe në lartësinë e detyrës duke shtuar se kjo dosje duhej të ishte në tryezat e prokurorëve që nga dita e parë e krijimit të SPAK-ut.
“Presim që SPAK-u të thërrasë të gjithë personat që kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nuk janë paraqitur asnjë ditë përballë organit të akuzës. Të zbardhet përfundimisht e vërteta,” u shpreh Manja. (A2 Televizion)