
I ftuar në “Dita jonë” në A2 CNN, drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, ka folur mbi targat e personalizuara, një risi në vendin tonë, ku tanimë të gjithë ata persona që dëshirojnë të kenë një targë ndryshe nga tradicionalet, mund ta zgjedhin vetë algoritmin e tyre online dhe ta përfitojnë në çast targën e tyre.
Por, sipas Gonxhes, mund të ketë raste kur i njëjti kombinim të kërkohet nga dy ose më shumë persona, e në këtë rast do të hapet një ankand dhe ai që do të ofrojë më shumë para, do të jetë edhe mbartësi i kësaj targe “të bukur”.
Gonxhja u shpreh se këto targa do të nisin nga 1.4 milionë lekë të vjetra dhe këtu iu referua kombinimeve me 5 deri në 7 germa dhe numra.
“Këto quhen shërbime luksi, për të privilegjuarit. Një targë e tillë shkon mbi 1.4 milionë lekë të vjetra. Ky është një shërbim që i takon një grupi shumë të vogël.
Kategoria e parë që do ofrohet online do të jetë nga 5 karaktere deri në 7. Këtu do të ofrohen online me rezervimin e parë. Në rast se brenda këtij rezervimi një algoritëm i sistemit do të konstatonte që do të bëhej më e rrallë, kjo do të kalonte menjëherë në ankandim.
Pra, në rast të tillë, ju njoftoheni se kur do të jetë ankandi dhe ai që do të ofrojë më shumë, ai do ta marrë targën. Kjo pasi për këtë targë mund të kenë interes më shumë se sa një person.
Ky është një “kurth” për një kategori që për ego, për status do ta bëjë këtë.
A mund të udhëtohet jashtë vendit me këto targa?
Gjithë homologët tanë janë në dijeni për ndryshimet që ne kemi bërë, pra qytetarët mund të dalin lirshëm jashtë vendit. Kjo shkon në të mirën e sigurisë rrugore, pasi duke qenë me më pak gërma është më shumë e memorizueshme.
Ti do të kishe një targë të personalizuar?
Unë do tregoja tifon tim interiste, do ishte një “AM4L4”.
Po me ngjyrat a mund të luhet?
Jo në këtë fazë jo. Më pas do të shkojmë në ndryshime të tjera. Kjo targë do të jetë e mundshme për t’u mbajtur edhe në ato raste kur, ju edhe pse mund ta ndërroni makinën, që mjafton të jetë vit prodhimi më i ri se e para, dëshironi që të mbani të njëjtën targë, meqenëse presupozohet se jeni të lidhur me të. Por, kjo nuk do të thotë që mund të mbani të njëjtën targë në dy apo më shumë mjete.” (A2 Televizion)
Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja