SPECIALE A2/ Rruga e ujit

Nga A2 CNN
16 Qershor 2020, 18:58 | Lifestyle
SPECIALE A2/ Rruga e ujit

Uji nuk është privilegj, por një e drejtë bazike pë të jetuar. Aktualisht, bota ndodhet në një krizë shumë serioze për ujë të pijshëm dhe janë pikërisht vendet e varfra, për të cilat rruga për në burime të ujit të pijshëm është e gjatë, e vështirë dhe shpeshherë e pamundur.

Rrugëtimi ynë nis bashkë me ujin nga mëngjesi në mbrëmje, gjatë orëve të natës deri mëngjesin tjetër kur zgjohemi dhe rifillojmë nga e para. Njerëzimi ka nevojë për ujë që të jetojë, uji përdoret kudo dhe gjendet kudo.

Uji gjendet në qelizat e trupit të njeriut, në gjethet e pemëve dhe në retë e qiellit. Vetë toka në 70% të masës së saj është prej uji, pasi oqeanet dhe detet mbulojnë pjesën më të madhe të saj. Ky ujë është i kripur.

Ndërsa ujërat e ëmbla që ne përdorim çdo ditë për të pirë, për të gatuar apo për të larë, përdoren po ashtu në  disa industri të prodhimit dhe përpunimit ushqimor dhe farmaceutik. Shumica e ujërave të ëmbla në glob janë ngurtësuar në akullnaja dhe sipërfaqe të ngrira dëbore dhe vetëm 1% e rezervave globale të ujërave të ëmbla janë të lira për t'u përdorur.

Mbi 2 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje në burime të sigurta të ujit të pijshëm, pasi konsumi më i madh i ujërave të ëmbla bëhet nga agrobujqësia dhe industritë ushqimore, farmaceutike dhe kozmetika. Konsumatori më i madh i ujit është agrobujqësia, e cila merr rreth 90% të sasisë totale të ujit të pijshëm për vaditje. Edhe përpunimi i produkteve ushqimore, farmaceutike dhe kozmetika, konsumojnë miliarda litra ujë në ditë.

Vetëm rruga e një filxhani kafeje, nga plantacionet e Brazilit deri në pirjen e saj nga secili prej nesh, shpenzon rreth 140 litra ujë të pijshëm. Ndërsa për të prodhuar një hamburger të thjeshtë, nevojiten jo më pak se 10 mijë litra ujë. Rritja e popullsisë dhe stili i jetës në shekullin e ri kanë shtuar jo vetëm konsumin ushqimor, por edhe kërkesën për produkte farmaceutike dhe kozmetike duke dyfishuar nevojën për ujë.

Një tjetër faktor që ka ndikuar burimet e sigurta të ujit të pijshëm është ndotja e mjedisit me mbetje organike, industriale dhe deri mbetje toksike. Në vitin 2020, toka ka arritur nivelin më të lartë të degradimit dhe ndotjes.

Edhe ajri, pas një frymëmarrje të shkurtër për shkak të pandemisë globale, është ndotur akoma më shumë për shkak të intensitetit të lartë me të cilin bota iu kthye aktivitetit dhe përditshmërisë.

Ndërsa rezervat ujore në botë pakësohen, kjo krizë e ujit mund të zgjidhet duke ulur konsumin e tij. Dhe është plotësisht e mundur të kursehet ujë në agrobujqësi duke përdorur teknologjitë e avancuara të vaditjes, proces i cili konsumon pjesën më të madhe të ujërave të ëmbla.

Edhe në drejtim të industrive ushqimore apo farmaceutike, teknikat e pastrimit dhe filtrimit të ujit të kripur apo ujit të shiut mund të prodhojnë sasinë e nevojshme të ujit për këto industri, duke kursyer në këtë mënyrë ujin e pijshëm. Uji që fitohet nga teknika të ndryshme pastrimi shkon në tregjet e ujit të pijshëm, të agrobujqësisë dhe industrive ushqimore dhe farmaceutike. Teknologjia e largimit të kripës nga ujërat e oqeanit apo detit ka avantazhin e kostos së ulët dhe përfitimit të lartë, jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga pikëpamja mjedisore. Gjatë procesit të largimit të kripës nga uji, gjenerohen mbetje të padëmshme si kripa e gjellës, soda kaustike dhe acidi klorhidrik.

Këto janë industri të shekullit të ri dhe janë mjaft të zhvilluara edhe në rajonin e Mesdheut, ku Izraeli dhe Spanja prodhojnë miliarda litra ujë në ditë duke hequr kripën e ujërave të Mesdheut.

Rajoni Mesdhetar, megjithë potencialet e larta hidrike të cilat përbëjnë 3% të ujit global, vuajnë mungesën e theksuar të ujit të pijshëm. Shumica e vendeve mesdhetare përballen me thatësira të gjata duke bërë të pamundur furnizimin e popullsisë me ujë të pijshëm apo industrial. Kërkesat për ujë të pijshëm dhe industrial kanë filluar të plotësohen nga teknologjitë e pastrim-filtrimit të cilat janë shtrirë nga ujërat e kripura në ujin e shiut apo edhe ujërat e përdorimit shtëpiak.

Përfitues të tjerë nga industria e ujit të pastruar dhe filtruar janë konsumatorët familjarë të cilët kanë instaluar impiante të pastrimit dhe filtrimit edhe për ujërat e zeza, të cilat, pasi kalojnë një zinxhir procesesh të pastrimit, filtrimit dhe analizimit, janë të gatshme të përdoren sërish.

Megjithatë, çdo ujë i prodhuar nga teknologjitë e ndryshme, krahasuar me ujin që merret nga burimet natyrore, ka një kosto të caktuar financiare. Vendet e zhvilluara kanë qasje shumë më të mëdha në burimet e ujit të pijshëm apo atij industrial, por nuk ndodh e njëjta gjë në vendet e varfra. Zonat e varfra në botë kanë rezerva ujore të pakta dhe burime të ndotura, por edhe mundësi të pakët për të blerë ujë, nga teknologjitë e prodhimit. Një nga zonat më të varfra dhe më të etura për ujë është Afrika. Atje burimet ujore janë të pakta, të vështira për t'u arritur, por edhe kur uji gjendet, shumica e burimeve janë të ndotura.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportet e saj tregon se në vendet europiane një person harxhon 190 litra ujë në ditë; në Amerikë ky konsum rritet në 380 litra ndërsa Afrika ka vetëm 18 litra ujë konsum ditor për frymë poppulsie. Për popujt e Afrikës, burimet e ujit të pijshëm janë të pakta dhe shumë të vështira për t’u arritur, në shumicën e rasteve këto burime gjenden disa orë larg qendrave të banuara.

Sipas raporteve, një afrikan e kalon pjesën më të madhe të jetës në kërkim të ujit. Fëmijët në Afrikë, në rrugën e tyre të ujit nga shtëpia në burimin më të afërt dhe kthimi në shtëpi, shpenzojnë mesatarisht 5 orë në ditë. Në këtë rrugë të përditshme për ujë, ata krijojnë ëndrrat për të ardhmen e tyre, por shpesh kjo rrugë i drejton në burime të ndotura, të shteruara. Është pikërisht kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme e ujit që vret ëndrrat e mijëra fëmijëve në kontinentin e etur.

Bota ka hyrë në zonën e nxehtë për ujë, por para se ta braktisim për burime të largëta, të pasigurta dhe mbase të ndotura, le të ruajmë dhe kursejmë çdo pikë uji në oqean, tokë dhe ajër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos