Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Hoshtimë, në afërsi të varrezave të fshatit.
Sipas informacioneve paraprake, dy mjete zjarrfikëse janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes për të përballuar flakët, të cilat po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit të vështirë dhe erës që favorizon përhapjen e tyre, shkruan A2 CNN.
Për shkak të flakëve që kanë nisur nga varrezat e fshatit, rrezikohen aktualisht ullishtet dhe tokat bujqësore të zonës. Më larg ndodhen edhe disa banesa, të cilat mund të jenë në rrezik nëse zjarri avancon më tej.
Forcat zjarrfikëse po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa të gjitha strukturat përkatëse janë tashmë në terren për të bërë të mundur vendosjen e situatës nën kontroll. (A2 Televizion)