Futbollisti i ri vritet nga policia, shokët e ekipit i dhurojnë “golin” e fundit

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 22:57 | Lifestyle

Ishte një djalosh i ri dhe plot ëndrra Alexander Martinez, por synimi i tij për të luajtur si profesionist në Meksikë dhe dikur, pse jo, në Europë u shua disa ditë më parë kur një efektiv i policisë i qëlloi teksa po blinte disa pije freskuese me shoqërinë.

Ishte vetëm 16-vjeçar Martinez, por u shkëmbye për një kriminel që po ndiqej nga forcat e rendit në qytezën e Acatlan de Perez Figeroa.

Rasti tronditi mbarë opinionin publik meksikan, dhe padyshim shokët e tij të ekipit Veracruz, që vendosën t’i dhuronin të paktën një gol të fundit, në këmbim të gjithë atyre që nuk do të mundej të shënonte më.

Arkivoli i adoleshentit u transportua në një fushë stërvitore, ku shokët organizuan një aksion loje sulmuese, një shkëmbim ku përplasja e fundit e topit gjeti pikërisht arkivolin e djalit të pafat, duke mposhtur portierin dhe dërguar topin në rrjetë.

https://twitter.com/tvbus/status/1271228870935457793

Një moment lumturie, një moment ku të gjithëve iu krijua, për pak çaste, iluzioni që asgjë nuk kishte ndodhur. Më pas britmat pothuajse instinktive të festës për golin e fundit të Alexander Martinesit, u zëvendësuan me lotët për shokun që iku shumë shpejt, dhe pa arsye. Pothuajse e tepërt të thuhet se video i këtij goli ka përlotur rrjetet sociale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos