Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, tregoi cilësi te jashtëzakonshme në Europian edhe pse përballë kishte kombëtare të mëdha si Spanja, Italia apo Kroacia. Talenti i 20-vjeçarit është veçuar dhe nga mediat ndërkombëtare të cilat kanë shkruar për futbollistin kuqezi duke thënë se e ardhmja e përfaqësueses shqiptare është e sigurt.
20-vjeçari ishte ndër tre lojtarët e Kombëtares që luajtën të gjitha minutat në tre ndeshjet e kuqezinjve në Euro 2024. Me 270 minuta, ai justifikoi në mënyrën më të mirë besimin e trajnerit Silvinjo.
Mitaj është pozicionuar në vendin e shtatë në listën e mbrojtësve, sa i përket topave që ka rikuperuar, plotë 15, duke bërë që vlera e tij në treg por edhe vëmendja nga klubet në merkato të rritet. Për shqiptarin kanë shfaqur interes Juventus, Bologna dhe Lazio por ende nuk ka diçka zyrtare.
Së fundmi edhe Sky Italia e ka veçuar futbollistin në formacionin me 11 lojtarët që kanë befasuar në fazën e grupeve. Mitaj është një prej tyre ndërsa nuk mungojnë dhe të tjerë emra që kanë spikatur më kombëtaren e tyre, si portieri i Gjeorgjisë, Mamardashvili, Ndoje i Zvicrës apo futbollisti i Austrisë, Baumgartner. (A2 Televizion)