Djemtë kuqezi së bashku me trajnerin Silvinjo dhe stafin teknik të Kombëtares kanë shkelur në tokën shqiptare pas eksperiencës në Europianin e luajtur në Gjermani, ku u renditën të fundit me vetëm 1 pikë në grupin B.
Nga aeroporti i Rinasit për mediat kanë folur mesfushori i Leçes, Ylber Ramadani dhe sulmuesi i Beshiktash, Ernest Muçi. Lideri i mesfushës kuqezi nuk e ka fshehur zhgënjimin për mos kalimin në fazën e 1/8, duke thënë se Shqipëria meritonte të fitonte me Kroacinë dhe të merrte 1 pikë nga sfida Spanjën.
“Ishte ndjesi e mirë. Provuam të japim maksimumin. Përkrahja e shqiptarëve ka qenë fantastike. Eksperienca do vazhdojë tutje dhe do përgatitemi për të ardhmen. Kemi dashur më shumë të kualifikohemi. Tani duhet të fitonim me Kroacinë edhe dje meritonim një pikë. Trajneri na tha që ishte krenar me ne sepse luajtëm me kundërshtar të nivelit të lartë. Me Italinë shënuam golin por u tërhoqëm, por kishim shanse për një rezultat tjetër.”
Ndërkohë, ylli 21-vjeçar Ernest Muçi nuk e ka fshehur zhgënjimin për minutat e pakta në fushë. “Doja më shumë minuta. Ishte pak zhgënjyese që nuk morën një pikë me Spanjën. Çunat besuan deri në fund të gjithë dhe besoj se kjo eksperiencë do na vlejë. Jam shumë i lumtur që më kanë mbështetur edhe tifozët.” (A2 Televizion)