Julian Ahmataj, trajner i përfaqësueses U19, deklaroi në studion e A2 CNN se në ndeshjen ndaj Spanjës duhet të ishin përfshirë në formacionin titullar Armando Broja dhe Arbër Hoxha.
“Formacioni ishte i drejtë, por duhet të kishim rrezikuar, duhet të kishim më shumë guxim në 30 metrat e fundit. Duhet të kishim më shumë lojtarë ofensivë bashkë në fushë. Gjithsesi, edhe me mënyrën që zgjodhi trajneri, ne bëmë ndeshje shumë të mirë. Ne e kemi fituar Evropianin tonë. Kemi bërë paraqitje që askush nuk i priste nga ne në “grupin e Ferrit”. Kjo na jep shpresë për të ardhmen”, deklaroi Ahmataj.
“Na djeg sepse me një fitore sot do të kalonim më tej, por mendoj se në të ardhmen do të kemi rezultate akoma më pozitive. Fati nuk ishte me ne që në short, pastaj edhe sot ishim pa fat, në rastin kur portieri spanjoll përplasi topin te mbrojtësi i tij dhe i përfundoi sërish në dorë. Edhe goli i Spanjës u bë me ndihmën e shtyllës. Sot bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe duhet të jemi krenarë”, shtoi trajneri i Kombëtares U19. (A2 Televizion)