Shqipëria e fitoi Europianin e saj, nga goli më i shpejtë në histori te tifozeria më unike në EURO 2024

Nga Xhevahir Qardaku
25 Qershor 2024, 14:51 | Live Euro 2024

Shqipëria largohet nga Euro2024 duke lënë pas pasaportën më të mirë të mundshme me momente ikonike. Mediat e huaja i kanë bërë jehonë lojës së bukur të dhuruar nga futbollistët e kombëtares, por mbi të gjitha atmosferës së papërsëritshme të dhjetëra mijëra mbështetësve më të veçantë në këtë Europian të futbollit.

“Nga goli më i shpejtë te tifozët fantastikë, Shqipëria solli surpriza në Europian”, me këtë titull dhe me shumë elozhe e ka përcjellë agjencia prestigjoze e lajmeve, “Reuters”, aventurën shqiptare në Gjermani. Fakti që u renditëm të fundit në grup është tepër i zbehtë përballë momenteve të pavdekshme të krenarisë mbarëkombëtare, duke bërë të dashurohen me vendin tonë njerëz nga e mbarë Europa.

Aventura e Shqipërisë nisi me atë që nuk e kishte imagjinuar as tifozi më i çmendur, golin më të shpejtë në histori të çdo kampionati europian të futbollit. Nedim Bajramit iu deshën vetëm 23 sekonda për të shënuar kundër Italisë, ndërsa stadiumi i Dortmundit vishej kuq e zi nga rreth 50 mijë tifozët e pranishëm. “Reuters” thekson se edhe kundër Kroacisë, kombëtarja shqiptare sfidoi të gjitha shanset duke barazuar në sekondat e fundit të takimit më emocionues të Europianit. Në ndeshjen me Spanjën, futbollistët shqiptarë e vendosën Spanjën shpesh në vështirësi, thekson agjencia e lajmeve.

Në çdo takim të këtij grupi, ajo që ka rënë në sy dhe është raportuar në mediat e të gjitha vendeve Europiane dhe botërore, është atmosfera elektrizuese e krijuar nga tifozët shqiptarë, duke qëndruar krah për krah me ata të Italisë, Kroacisë dhe Spanjë, duke vallëzuar, bërë gara me birra dhe shumë humor. “Reuters” shkruan se po të kishte një kupë për tifozët, shqiptarët pa diskutim do ta fitonin atë. Kombëtarja shqiptare arriti deri aty saqë bëri dhe spanjollët ta dashurojnë lojën e tyre.

“Në një natë spektakolare futbolli, Shqipëria më bëri fans të sajin!”, thotë reporteri spanjoll, Graham Hunter, për sajtin zyrtar të UEFA-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos