Te Franca janë të pasigurt për ecurinë e Kylian Mbappe në këtë Europian. Pavarësisht se shmangën një operacion pasi ylli transalpin theu hundën në përballjen me Austrinë, që mund ta linte më shumë se 10 ditë jashtë fushave, edhe versioni i përdorimit të një maske gjatë ndeshjes mbetet me pikëpyetje.
Ende nuk dihet nëse ai do të rikthehet në aksion në ndeshjen e radhës përballë Holandës, teksa “Le Figaro” në raportimin e fundit mbi gjendjen e Mbappe pretendon se sulmuesi do të mungojë në dy ndeshjet e mbetura të grupit.
Ishte prestigjozja “L’ Equipe” e para që pas frakturës së Mbappes në ndeshjen ndaj Austrisë, raportoi se ylli i Real Madrid do të kalonte nga salla e operimit për të riparuar dëmin, çka nënkuptonte fundin e Europianit për të.
Por, trajneri Didier Deschamps u përpoq të qetësonte tifozët e “Gjelave”, duke thënë se asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë, përpara se presidenti francez i FA, Philippe Diallo të hynte në “lojë” për të thënë se lojtari nuk do të kryente ndërhyrjen kirurgjikale.
“Reagimet e para nga ana e tij janë mjaft pozitive, ndaj nuk planifikojmë ta operojmë tani. Është shumë herët për të ditur nëse ai do të luajë në pjesën tjetër të turneut apo për të vendosur një orar specifik për gjendjen e tij. Me sa duket janë bërë disa teste dhe kanë dalë në përfundimin se është folur për vendime shumë herët. Ata u përpoqën të zvogëlojnë efektet e frakturës së tij në mënyrë që ai të mund të vazhdojë pjesëmarrjen në kompeticion. Siç thashë, nuk ka plan për një operacion të menjëhershëm. Ne presim të zhvillohen disa gjëra për të ditur se në çfarë gjendje do të jetë ai”, tha kreu i Federatës Franceze.
Së fundi, pak a shumë të njëjtën gjë deklaroi Deschamps, i cili në një intervistë në emër të FFF deklaroi se sulmuesi i tij ishte më i mirë, por është një situatë që do të ndiqet orë pas ore për të kontrolluar gjendjen e tij. (A2 Televizion)