Incidenti i dytë i dhunshëm mes tifozëve në Kampionatin Europian të futbollit, pas sherrit mes serbëve dhe anglezëve në Gelsenkirchen, është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Leipzig.
Pas përfundimit dramatik të sfidës Kroaci-Itali, që u mbyll me rezultatin 1-1, katër tifozë italianë kanë mbetur të plagosur pasi u sulmuan nga një grup ultrasish kroatë.
LaPresse duke iu referuar burimeve nga policia e Leipzig raporton se si pasojë e sherrit dy prej tifozëve Axurrë kanë përfunduar në spital.
“Mbrëmë ka pasur një sherr mes tifozëve italianë dhe kroatë në afërsi të qendrës së Leipzigut. Një flamur me sa duket është vjedhur nga tifozët italianë dhe më pas është kthyer. Pas kësaj një grup prej rreth 20 tifozësh kroatë kanë sulmuar fizikisht tifozët italianë duke i goditur me shkelma dhe grushte. Katër u plagosën, dy prej të cilëve u shtruan në spital”, tha policia gjermane.
Autoritetet kanë arritur të identifikojnë 11 të dyshuar (kroatë dhe boshnjakë, të moshës nga 21 deri në 44 vjeç) si përgjegjës për sulmin dhe ata janë shoqëruar në komisariat, për t’u liruar më pas. Kundër tyre u hap një hetim pasi akuzohen se u kanë shkaktuar tifozëve italianë lëndime të rënda fizike. (A2 Televizion)