Paraqitjet në fushën e lojës, ku në “Grupin e Ferrit” barazuam me Kroacinë nuk mjaftuan. As festa dhe sjellja e jashtëzakonshme e tifozëve shqiptarë. Aventura e Kombëtares në Euro 2024 u njollos nga akuzat për ngacmim seksual nga një pjesëtar i stafit.
Prokuroria në shtetin e North RineVesfali nisi hetimet, pasi një punonjëse e hotelit ku ishte grumbulluar përfaqësuesja në Kaiserau akuzoi se ishte përdhunuar nga një supervizor i Kombëtares.
Bëhet fjalë për një punonjës 26-vjeçar të Federatës, i cili menjëherë pas ngjarjes u pezullua. Gjatë dëshmisë në polici, vajza 18-vjeçare tha se supervizori i ekipit e mori me forcë në kuzhinë, e puthi dhe abuzoi seksualisht me të.
Hetimet vazhdojnë, por fakti interesant është se i akuzuari u kthye në Shqipëri menjëherë pas eliminimit të kuqezinjve. Autoritetet gjermane thanë se “deri më tani nuk ka prova të forta për kryerjen e krimit dhe nuk është lëshuar asnjë mandat arresti”.
Për momentin mbetet e paqartë si do të vazhdojnë hetimet, por prokuroria përjashtoi përfshirjen e ndonjë lojtari apo zyrtari të lartë të Federatës. (A2 Televizion)