Me tupana, këngë e valle patriotike. Kështu e kanë nisur ditën mijëra fansa të Kombëtares shqiptare të futbollit, teksa janë grumbulluar në disa pika të qytetit të Dortmundit, para se të marshojnë në mbrëmje drejt stadiumit “Signal Iduna Park”.
Thirrja “O sa mirë me qenë shqiptar!” oshtin në qytetin gjerman që është veshur me ngjyrat kuqezi. Festimet tradicionale të shqiptarëve kanë ndezur edhe kuriozitetin e rivalëve të sotëm në grup. Në pamjet e siguruara nga kamera e A2 CNN, shihet një grup i tifozëve axurrë që këndojnë në kor së bashku me ata shqiptarë.
Italia dhe Shqipëria do të përballen në sfidën që nis nga ora 21:00, në një stadium ku pritet një "ortek kuqezi", pasi mbi 50 mijë tifozë shqiptarë do të jenë në tribunat e impiantit prej 81.000 ulësesh.
(A2 Televizion)