Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar me tronditje pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Shtëpinë e Futbollit, ku humbi jetën futbollisti Bledar Hajdari, pjesë e ekipit FC Dajti në kampionatin amator FSHF Sunday League Albania.
Në një deklaratë zyrtare, FSHF shpreh dhimbjen e thellë dhe solidaritetin me familjen Hajdari dhe ekipin e FC Dajtit:
“Federata e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen tragjike... FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit për këtë humbje të madhe që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.”
Ngjarja ndodhi gjatë ndeshjes gjysmëfinale mes FC Dajtit dhe FC Lumnineses, ku 28-vjeçari Bledar Hajdari pësoi një atak kardiak në fushë. Menjëherë pas rënies, ai mori ndihmën e parë nga stafi mjekësor i pranishëm dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë.
Humbja e tij ka shkaktuar trishtim të thellë në radhët e sportdashësve dhe futbollit amator në vend. Bledar Hajdari kujtohet si një sportist i përkushtuar dhe i dashur nga të gjithë bashkëlojtarët dhe miqtë e tij.
Në këto momente të vështira, FSHF ka shprehur mbështetjen e saj ndaj familjes, duke ndarë dhimbjen për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë që ka lënë një boshllëk të madh në fushën e blertë dhe në zemrat e shumë njerëzve. (A2 Televizion)