Herolind Shala është zyrtarisht lojtar i Partizanit. Klubi i kuq ka njoftuar afrimin e mesfushorit, i cili ka luajtur me Kombëtaren shqiptare, përmes rrjeteve sociale.
Ky transferim vjen dy ndeshje para fundit të kampionatit shqiptar. Shala ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fundin e sezonit të ardhshëm, shkruan A2.
33-vjeçari vjen te Partizani si lojtar i lirë, ndërsa ishte pa ekip nga janari.
Kjo është eksperienca e parë e Shalës në Shqipëri, pasi më parë ka luajtur në Novergji, Danimarkë, Turqi dhe Çeki.
Njoftimi i Partizanit:
“Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Herolind Shala. Ish lojtari i Shqipërisë dhe Kosovës është zyrtarisht pjesë e Partizanit, skuadër me të cilën do të rregjistrojë edhe eksperiencën e parë në Kampionatin Shqiptar. Shala ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë deri në fund të sezonit 2025-2026 , me të drejtë rinovimi nga ana e klubit edhe për një tjetër vit. Shala është një lojtar me karrierë mjaft të pasur, teksa është aktivizuar në Norvegji, Danimarkë, Çeki dhe Turqi. Ai i bashkohet Partizanit si lojtar i lirë pas aventurës me norvegjezët e IK Start”.
(A2 Televizion)