Kristjan Asllani ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores 1-0 të Interit në transfertë ndaj Fiorentinës, me asistin e tij për golin e vetëm të ndeshjes. Mesfushori i kombëtares sonë tregoi për mediat italiane se si lindi goli i shënuar nga Lautaro Martinez.
“E kishim provuar në stërvitje. Gjithashtu, pashë që Lautaron po e markonte Parisi dhe mendova se topi duhej të shkonte te kapiteni ynë. Provova krosimin e ulët dhe shkoi mirë”, tha Asllani.
Mbi fjalët e trajnerit të tij, Simone Inzaghi, i cili u shpreh se nuk ishte i bindur për gatishmërinë e talentit shqiptar për të qëndruar edhe një sezon tjetër nën hijen e Çalhanoglut, Asllani u shpreh: “Nuk kam kërkuar kurrë më shumë hapësira në formacion, kam përpara meje një lojtar si Çalhanoglu që më ndihmon çdo ditë. Qëndrova tek Interi me bindjen dhe me dëshirën për të mësuar”.
Kur u pyet se çfarë i kërkon trajneri, Asllani theksoi se Inzaghi nuk e vendos aspak nën presion.
“Më lër të qetë, ndoshta ju mendoni se kam presion, por nuk është kështu. Më lër të qetë dhe prandaj unë tregova cilësitë e mia në një ndeshje të vështirë”, tha Asllani. (A2 Televizion)