Bayern Munich do të transferojë kapitenin e Barcelonës

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 17:47 | Futboll

Bayern Munich do të transferojë kapitenin e Barcelonës

Barcelona po hyn në afatin kalimtar të dimrit me disa dilema të hapura, ndërsa pritet që një ose dy emra të rëndësishëm të largohen nga “Camp Nou”. Një prej tyre është kapiteni Marc-André Ter Stegen, i cili po sheh gjithnjë e më seriozisht mundësinë e një ndarjeje të përkohshme nga klubi katalanas.

Pas rikthimit në fushë pas disa muajsh mungesë, në ndeshjen e së martës të Kupës së Mbretit ndaj Guadalajaras, situata e portierit gjerman mbetet e ndërlikuar. Aktualisht, ai renditet i treti në hierarkinë e portës te kryesuesit e La Ligës, pas Joan García dhe Wojciech Szczesny, duke e bërë shumë të vështirë sigurimin e minutave të rregullta.

Me Kupën e Botës që do të zhvillohet verën e ardhshme në horizont, Ter Stegen e konsideron jetike aktivizimin e vazhdueshëm për të ruajtur statusin e titullarit me Gjermaninë. Nën drejtimin e Hansi Flick, shanset e tij për të luajtur mbeten minimale, pasi do të aktivizohej vetëm në rast mungesash të dy portierëve përpara tij.

Në këtë kontekst, një largim në janar shihet si zgjidhja më logjike. Sipas “Mundo Deportivo”, Ter Stegen po bëhet gjithnjë e më i hapur ndaj një transferimi dhe tashmë ka disa opsione konkrete në tryezë. Bayern Munich është shfaqur si një alternativë surprizë javët e fundit, ndërsa interes ka edhe nga AS Monaco, Tottenham Hotspur, Newcastle United, Manchester United dhe Besiktas.

Nga ana tjetër, Barcelona nuk do t’i vendosë pengesa largimit të tij dhe është e gatshme të miratojë një huazim, nëse kjo është dëshira e portierit. Çdo një nga klubet e interesuara mund t’i ofrojë Ter Stegen rolin e titullarit për pjesën e dytë të sezonit, duke e bërë vendimin për të ardhmen e tij edhe më të hapur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos