
Karim Adeyemi pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së ardhshme të transferimeve, teksa mediat gjermane raportojnë se sulmuesi i Borussia Dortmund është i gatshëm të largohet nga klubi, me Manchester United mes interesantëve kryesorë. Sipas BILD, një rol kyç në këtë vendim po luan bashkëshortja e tij, reperja e njohur me origjinë shqiptare, Loredana Zefi.
Adeyemi, 23 vjeç, ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2027, por raportohet se po ushtron presion që në një rinovim të mundshëm të përfshihet një klauzolë lirimi rreth 70 milionë paund, përcjell A2 CNN. Kjo do t’i hapte rrugë një transferimi drejt një klubi të madh europian.

Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Loredana dëshiron që hapi i radhës në karrierën e bashkëshortit të jetë në një “metropol europian”, çka ka ndikuar ndjeshëm në reflektimet e Adeyemit për të ardhmen. Çifti u njoh në vitin 2023 dhe u martua një vit më vonë në një ceremoni private.
Situata e Adeyemit në Dortmund është përkeqësuar muajt e fundit, si për shkak të formës jo bindëse, ashtu edhe për marrëdhënien e tensionuar me trajnerin Niko Kovaç. Sulmuesi ka shënuar vetëm tre gola që nga fundi i shtatorit, ndërsa incidenti kur hodhi një shishe uji drejt stolit pas një zëvendësimi, u kritikua publikisht nga trajneri kroat.

Borussia Dortmund tradicionalisht shmang klauzolat e lirimit, por në rastin e Adeyemit raportohet se mund të bëhet përjashtim. Manchester United është vënë në dijeni të situatës, ndërsa futbollisti ka angazhuar së fundmi super-agjentin Jorge Mendes, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera me drejtuesit e “Old Trafford”.
Në 128 paraqitje me Dortmundin, Adeyemi ka shënuar 32 gola dhe ka dhënë 22 asist, duke mbetur një profil shumë i lakmuar në tregun europian. (A2 Televizion)