
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër mijëra fermerëve që u mblodhën të enjten në Bruksel, duke bllokuar rrugët me traktorë dhe duke hedhur patate e vezë, ndërsa liderët europianë zhvillonin një samit.
Protestuesit kundërshtojnë marrëveshjen tregtare BE–Mercosur dhe u grumbulluan pranë ndërtesës Europa, ku krerët e 27 vendeve anëtare diskutonin mundësinë e ndryshimit ose shtyrjes së marrëveshjes, shkruan A2.
Një protestë tjetër u zhvillua pranë Parlamentit Europian. Marrëveshja synon të heqë tarifat doganore për pothuajse të gjitha mallrat mes BE-së dhe pesë vendeve të Amerikës së Jugut – Brazilit, Argjentinës, Uruguait, Paraguait dhe Bolivisë – brenda 15 viteve, por po përballet me kundërshtime të forta.
Italia iu bashkua vendeve kundër me në krye Francën, duke deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes është i parakohshëm pa garanci të mjaftueshme për sektorin bujqësor. (A2 Televizion)